Tenderët për projektet infrastrukturore – Më 31 dhjetor 2020, ARRSH dhe FSHZH shpallin fituesit për 3 procedura
Dita e fundit e vitit 2020 është shfrytëzuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit për të shpallur kompanitë fituese për disa tenderë që kanë në fokus disa projekte infrastrukturore. Kështu, ARRSH shpalli fituesin e tenderit për ndërtimin e rrugës Palasë- Dhërmi. Fondi limit i vënë në dispozicion ishte 1.6 mld lekë, ndërkohë që fitues është shpallur kompania Gjikuria, me një ofertë prej 1.56 mld lekë. Njëkohësisht, Fondi Shqiptar i Zhvillimit në datën 31 dhjetor ka shpallur fituesin e tenderit Ndërhyrje Integruar për Përmirësimin e Aksesit, Shërbimeve dhe Rikualifikimit Urban në Zonën e Plazhit Palase – Drymadhes.
Për këtë tender fondi limit ishte 525 mln lekë, ndërkohë që fituesi është shpallur bashkimi i operatorëve Gjikuria dhe Albavia, me një ofertë prej 499.73 mln lekë. Sipas Open Data Albania tenderi është klaisifikuar me flamur të kuq, me risk për parregullsi, pasi janë skualifikuar të gjithë operatorët në garë ku fituesi nuk ka vlerën më të ulët të ofertës. Ndërkaq, po ARRSH ka shpallur në datën 31 Fituesin e tenderi me titull Ndërtim Rruga Mbikalimi Teg dhe rrugët lidhëse të tij . Fitues është shpallur kompania Alb Building, me një ofertë prej 1.4 mld lekë, nga 1.47 mld lekë që ishte fondi limit i vënë në dispozicion.
Sipas dokumenteve të tenderit, punimet do të zgjatin 15 muaj, nga momenti i nënshkrimit të kontratës. Kjo pjesë e Tiranës është një ndër zonat më në zhvillim të kryeqytetit, pasi po urbanizohet, ndërsa ndërtimet po rriten me hapa tejet të shpejtë. Veç Komplekseve masive te banimit, ne ketë zone jane ndërtuar dhe po ndërtohen edhe objekte te rëndësishëm komerciale si ”Qendra Tregtare”, ”Terminali i Autobusëve” dhe një sere biznesesh te rëndësishëm, shkollash e objekte sociale, te cilët kane çuar ne një rritje te ndjeshme te trafikut ne ketë rajon.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.