Tërbimi i “Florence” – Lë pas shkatërrim, përmbytjet parashikohen katastrofike
Uragani “Florence” ka goditur brigjet lindore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me kapacitetin maksimal. Deri më tani raportohet për të paktën 5 viktima, ndërkohë që Nasa ka publikuar pamjet e furisë së këtij uragani nga hapësira, ku duken qartë pasojat shkatërrimtare. Rreth 1.7 milionë njerëz janë evakuar ndërkohë që vlerësohet se do të preken gjithsej rreth 10 milionë persona.
Tërbimi maksimal i “Florence” tashmë ka kaluar dhe stuhia është zhvlerësuar në tropikale. Ekipet e shpëtimit kanë pasur një punë kolosale gjatë 24 orëve të fundit ndërkohë që raportohet për qindra persona të shpëtuar. Një pjesë e konsiderueshme banorësh kanë vendosur të qëndrojnë në shtëpitë e tyre për t`i ruajtur ato, edhe nga keqbërësit, duke injoruar kështu apelet e vazhdueshme të autoriteteve për evakuim.
Efektet e stuhisë shkatërrimtare vihen re edhe më thellë, përtej brigjeve, deri në 150 kilometra thellësi. Uragani “Florence”, i kategorisë 3, u zhvlerësua në kategorinë 1 kur goditi brigjet. Gjithsesi, përmbytjet pritet të jenë katastrofike dhe duket se do të jenë sfida kryesore.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.