Tërheqja e investimeve të huaja, Qato: Incentiva fiskale, paketa e derregullimit brenda 30 ditësh
Përjashtimi nga tatimi mbi fitimit, ulje e TVSH-së në 6% dhe përjashtim nga taksa në infrastrukturë për ata që përfitojnë statusin e investitorit strategjik”.
Këto janë disa nga masat lehtësuese që pritet të ndërmarrë qeveria shqiptare, me qëllim tërheqjen e investimeve të huaja, të cilat u bënë publike nga ministrja për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Sonila Qato, gjatë një aktiviteti me sipërmarrës italianë.
“Janë të ftuar të gjithë investitorët e fuqishëm të shtetit italian për të provuar edhe kushtet e reja që ofron Shqipëria për thithjen e investimeve të huaja në turizëm, duke propozuara përjashtimin e tatim-fitimit koorporativ për një periudhë 10-vjecare të të gjithë investitorëve të huaj nga data e marrjes së statusit të tyre për krijimin apo ngritjen e strukturave të hoteleve me 4 apo 5 yje, të cilat mungojnë sot në ofertën që ofron turizmi sot në vendin tonë, duke ulur taksën e TVSH-së prej 6 për qind për furnizimin e shërbimeve dhe strukturave akomoduese me 5 yje. Duke përjashtuar nga taksa”.
Qato nënvizoi se brenda 300 ditëve do të jetë efektive edhe reforma e derregullimit, që synon përmirësimin e klimës së të bërit biznes dhe lehtësimin e barrës që has biznesi me administratën publike.
“Ka filluar tashmë dhe po vihet nga dita në ditë në implementim reforma e derregullimit, një reformë shumë e rëndësishme, të cilën ne duam ta fillojmë intesivisht, për të dhënë një rezultat konkret në 100 ditshin e parë të qeverisë, dhe për ta konkluduar në 300 ditshin e parë. Si masa konkrete që po merr qeveria në raport me përmirësimin e klimës së biznesit në vend dhe me lehtësimin e të gjithë barrës apo barrierave administrative që sipërmarrja dhe qytetarët po përballen me dyert e administratës publike”.
Në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori i Italisë në vendin tonë, i cili ftoi investitorët italianë të vijnë në Shqipëri, pasi sipas tij fitimi u kthehet brenda pak vitesh.
Ndërkohë që, edhe sipërmarrës italianë që aktualisht operojnë në vendin tonë ndanë eksperiencën pozitive, ndërsa i kërkuan ministres Qato që vëmendja të fokusohet edhe te ata investitorë italianë, që aktualisht janë pjesë e tregut shqiptar.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.