Tërhiqen dy ligjet e debatuara – Komisioni i Veprimtarive miraton dekretet e Presidentit
Dy ligje të cilat janë debatuar shumë në publik dhe kundërshtuar nga grupet e interesit janë tërhequr tashmë nga qeveria. Përkatësisht Komisioni Parlamentar i Veprimtarive Prodhuese miratoi gjatë mbledhjes së radhës dy dekretet e Presidentit për ligjin e mbetjeve dhe atë të dhomave të tregtisë, të rikthyera për rishqyrtim në Kuvend.
Për ligjin e mbetjeve ka patur dhe një koment të deputetit të PD, Florion Mima dhe të kryetarit të këtij komisioni, Eduard Shalsi.
“Opozita do të jetë vigjilente duke mos lejuar një gjë të tillë që të ndodhë në të ardhmen”, tha Mima.
“Nuk kam ndryshuar asnjë opinionin për propozimin. Qëndrimet populiste nuk e bëjnë Shqipërinë më të mirë. Duhet të ishte një çështje e pastër teknike dhe të mos influencohet nga deformimet politike, nga ata e donin kauzë politike. Politikanët të flasin sa më pak dhe specialistët më shumë”, deklaroi Shalsi.
Por pa diskutime në këtë komision, dhe me unanimitet u miratua dekreti për ligjin e dhomave të tregtisë. Ligji për Dhomat e Tregtisë hapi debate të shumta midis vetë komunitetit të biznesit, edhe pse ka qenë drafti që është diskutuar në mjaft tryeza dhe formate televizive.
Të ndarë tashmë ne dy kampe, pro dhe kundër tij, “interesat më të forta” duket se kanë bërë që dhe qeveria ta tërheqë këtë ligj nga diskutimet në komisionet parlamentare.
Pika më e kundërshtuar është anëtarësimi me detyrim dhe pagesë pranë dhomave ne nivel qarku. Për këtë janë shprehur kundër disa nga shoqatat e biznesit, por dhe dhomat bilateral në vendin tonë.
Pavarësisht qëndrimit të një grupi të shoqatave të biznesit Kuvendi e miratoi atë në seancën plenare të datës 29 shtator 2016.
Por Presidenti i Republikës në atë kohë, Bujar Nishani e ktheu për rishqyrtim në Kuvend ligjin për Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.