Tërmeti godet turizmin – Kos-Bodrum, dëme dhe kaos në ndërtesa e resorte

Një tërmet me magnitudë 6.7 ballë të shkallës rihter goditi në orët e para të mëngjesit të së Premtes, zonën mes Greqisë dhe Turqisë.
Ishulli i Kos dhe qyteti turistik i Bodrum në Turqi janë dy më të prekurit. Këto dy vende janë të frekuentuara masivisht edhe nga turistët e huaj, por edhe e gjithë zona përreth tyre.
Pamjet filmike amatoriale tregojnë kaosin e krijuar nëpër disa prej këtyre resorteve me turistë, si në Turqi ashtu edhe në Greqi. Deri më tani është njoftuar për 2 viktima dhe qindra të tjerë të plagosur, ndërkohë që vala e shkatërrimit nuk ka qenë aspak e vogël.
Në brigjet e Turqisë është raportuar edhe për një tsunami të përmasave të vogla.
Agjencia Europiane e Tërmeteve i ka bërë thirrje banorëve dhe turistëve që të qëndrojnë larg brigjeve detare dhe larg ndërtesave.
Në pjesën dërrmuese të resorteve pranë zonës së tërmetit dhe ku lëkundjet kanë qenë më të mëdha, kanë hyrë menjëherë në fuqi planet e emergjencës dhe evakuimit.
Në disa prej tyre ndërkohë, turistët kanë rihyrë në ndërtesë. Në ishullin kos në Greqi, shumë ndërtesa janë dëmtuar ndërkohë që ujërat e rrëmbyer të detit kanë shkaktuar dëme të panumërta.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.