Tërmeti nuk i “tremb” sigurimet! “Duhet ngritur skema kombëtare e sigurimit nga fatkeqësitë”
Industria e sigurimeve nuk do të ketë probleme për t’iu përgjigjur dëmeve të tërmetit të 26 nëntorit. Në një intervistë për Tv Scan, drejtori i përgjithshëm i kompanisë Atlantik, Dritan Çelaj, thotë se primet për sigurimin e fatkeqësitë natyrore, në masën më të madhe, shkojnë për risiguruesit, që janë kompani të mëdha ndërkombëtare. Rrjedhimisht, edhe zhdëmtimi në pjesën më të madhe do të kryhet prej tyre, pa krijuar sforcime të mëdha financiare për kompanitë e sigurimeve në Shqipëri. Zoti Çelaj thotë se për dëmet e tërmetit të 21 shtatorit kompanitë e sigurimeve kanë kryer pagesa të dëmeve në kohë shumë të shpejtë. Siç tregojnë të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, për tetorin dëmet e paguara për sigurimin e fatkeqësive natyrore u rritën me afërsisht pesë herë në raport me tetorin e vitit të kaluar.
Siguruesit shprehen se sfida e vërtetë për Shqipërinë është rritja e shkallës së sigurimit të shoqërisë nga fatkeqësitë natyrore. Ata kërkojnë ngritjen e një skeme sigurimi nga fatkeqësitë natyrore, projekt i iniciuar nga Banka Botërore, por i harruar prej vitesh në sirtaret e institucioneve. Zoti Çelaj mendon se, në kushtet e mungesës së ndërgjegjësimit në shoqëri, është e domosdoshme ngritja e një skeme të detyrueshme sigurimi, për të mbrojtur financiarisht qytetarët, por edhe për të shmangur një barrë të rëndë për buxhetin e shtetit.
As tërmeti i 21 shtatorit nuk solli ndonjë ndërgjegjësim në rritje te shqiptarët për të siguruar pronat nga fatkeqësitë natyrore. Sipas statistikave nga AMF, për muajin tetor primet e sigurimit për mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore pësuan sërish rënie. Për tetorin, primet në këtë kategori kishin vlerën e 68 milionë lekëve, 10% më pak krahasuar me tetorin e vitit të kaluar. Për gjithë 10-mujorin e këtij viti, shqiptarët shpenzuan vetëm 950 milionë lekë ose 7.7 milionë euro për të siguruar pronat e tyre. Në terma mesatarë, kjo nënkupton një prim prej më pak se tre euro për frymë, shumë kjo jashtëzakonisht e ulët, edhe po të kemi parasysh shkallën e konsiderueshme të ekspozimit ndaj fatkeqësive natyrore. Përveçse është zonë sizmike, në rajone të veçanta Shqipëria ngelet mjaft e ekspozuar edhe ndaj rrezikut të përmbytjeve. Por, pavarësisht të gjithave, mbrojtja përmes mekanizimit të sigurimit është ende tejet modeste. Edhe sigurimet që kryhen, në pjesën më të madhe, bëhen në formë praktikisht të detyrueshme, sepse bankat kërkojnë domosdoshmërisht sigurimin e kolateraleve për kreditë e garantuara përmes tyre.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.