Tërmeti, sa u ndihmuan familjet e prekura? Seitaj: “67% e familjeve në zonën e Durrësit nuk kanë marrë asnjë ndihmë”
67% e familjeve të prekura nga tërmeti, kryesisht në zonën e Durresit, sipas një studimi të bërë nga shoqëria civile nuk kanë përfituar asnjë ndihmë sa i takon grantit të rikonstruksionit. Në një intervistë për Scan koordinatorja e projektit nga “Aleanca Gjinore për Zhvillim” Marinela Seitaj u shpreh se vetëm një pjesë e vogël e banorëve janë ndihmuar, kryesisht sa i takon qirave të banesave.
“Nëse i referohemi konkretisht ndihmave për të rimëkëmbur situatën e tyre ka rezultuar që në masën 67% nuk kanë marrë asnjë ndihmë qoftë edhe të vogël dhe % tjetër kanë qenë ndihma si bonus qeraje apo veshmbathje, rroba. Nga ana tjetër kemi edhe disa dëshmi ku ndihmat kanë qenë pjesë e njësive administrative dhe nuk ka pasur një rregull në shpërndarjen e tyre, gjë e cila ka lënë shenja te banorët dhe kanë shprehur një lloj pakënaqësie te studimi jonë.”
Seitaj foli për vonesa në zbatimin e programit të rindërtimit duke sqaruar se në 45% të rasteve dosjet nuk u realizuan në kohë për të aplikuar dhe përfituar
“Banorët janë shprehur gati në 45% të tyre se ka patur vonesa ën realizimin e kërkesave të tyre apo të dosjes së tyre për ta çuar në finale dhe për të përfituar plotësisht nga programet e granteve të rikonstruksionit të tërmetit të 26 nëntorit. Ndërsa pjesa tjetër është e qartë se ka përfituar nga grantet, sepse varet edhe nga nivelet dhe në bazë të klasifikimeve të tërmetit kanë marrë edhe pjesën që u përket për tu rimëkëmbur nga kjo fatkeqësi natyrore. ”
Seitaj theksoi më tej se nevojitet që familjeve të prekura t’u jepet mundësia për të riaplikuar.
Nertila Doko / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.