Tërmeti, ‘shkundje’ edhe për profesionet e harruara në Shqipëri! Krijohet Urdhëri i Inxhinierit Hidroteknik dhe Qendra e posaçme e Trajnimeve
Shqipëria do të ketë Urdhrin e inxhinierit Hidroteknik. Nisma është depozituar në Kuvend dhe ka për qëllim përmirësimin, mbrojtjen dhe forcimin e autoritetit publik të profesionit të inxhinierit hidroteknik.
“Nëpërmjet këtij projektligji synohet, përcaktimi i rregullave dhe skemës së veprimtarisë menaxhuese të disiplinës së Inxhinierisë Hidroteknike, si dhe për mënyrën e organizimit dhe funksionimit të Urdhrit të Inxhinierit Hidroteknik në Republikën e Shqipërisë” shkruhet në relacion.
Po ashtu, nisma parashion ngritjen, organizimin dhe funksionimin e Qendrës së Trajnimit Profesional Hidroteknik, e cila është institucion i edukimit të lartë me orientim profesional, me objektiv të përgatisë profesionistë me aftësi praktike në fushën e veprimtarisë hidroteknike dhe të përshtatshmërisë me të, të realizojë edukimin e vazhdueshëm profesional gjatë karrierës së tyre, si dhe të sigurojë mundësi për zhvillim profesional për ata inxhinierë që ka nën mbikëqyrje.
Në relacionin e nismës evidentohet se tërmeti i 26 nëntorit ka qenë një faktor reflektimi që ka ndikuar në këtë nismë.
“Nëpërmjet këtij projektligji veprimtaria e inxhinierëve dhe specialistëve dhe nënspecialistëve hidroteknikë që ka nën mbikëqyrje Urdhri, merr një dimension të ri human dhe solidariteti në fushën e “Emergjencave Civile” që lidhet me aftësimin për reagimin emergjent” shkruhet në relaiconin e nismës së ndërmarrë nga deputetët Andrea Marto dhe Ismet Beqiraj.
Një ndër risitë e këtij projektligji është fakti se, në dispozitat e tij është parashikuar bashkëpunimi me institucionet e strukturave të sistemit të mbrojtjes civile në kuadër të parandalimit dhe zvogëlimit të riskut, me qëllim mbrojtjen e jetës së njerëzve, të gjësë së gjallë, të pronës, të trashëgimisë kulturore e të mjedisit, kur shoqëria dhe ekonomia e veprimtarisë hidroteknike bie në gjendjen e tensioneve ekstreme prej fenomeneve të shumëllojshme natyrore.
Në mbarë vendin gjenden 600 basene ujore.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.