Terminali multimodal i veriut – Bashkia e Tiranës hap tenderin e projektimit, fondi limit 14 mln lekë
Me një fond limit prej 14 mln lekësh, Bashkia e Tiranës ka hapur tenderin për studimin dhe projektimin e terminalit verior të transportit publik. Sipas dokumenteve të tenderit, kompanitë e interesuara do të kenë në dispozicion 12 ditë kohë për të dorëzuar ofertat e tyre, ndërkohë që specifikohet se terminali i autobusëve do të pozicionohet në afërsi të mbikalimit të Kamzës, në një truall me sipërfaqe prej 50 mijë m2.
Sipas bashkisë, ndërtimi i këtij terminali ka për qëllim sistemimin e autobuzave që të do të realizojnë mbulimin e shërbimit për mjetet që kryejnë transportin e udhëtarëve ndërqytetas për në destinacionet e Jugut, ato Qendrore dhe të Veriut, si dhe ato ndërkombëtare, që kryejnë shërbimin me itinerare hyrje/dalje nga qyteti i Tiranës nëpërmjet akseve Tiranë – Durrës dhe Tiranë – Kamëz.
Ky do të jetë dhe terminali më i mad hi qarkut, teksa specifikohet se të gjitha tarifat e vendosjes të autobusëve, të ardhurat nga qiraja me pakicë dhe tarifat e parkimit, do të mblidhen nga Bashkia Tiranë. Aktualisht, mjetet që kryejnë transportin e udhëtarëve për në destinacionet e Veriut dhe Jugut të vendit si dhe ato ndërkombëtare operojnë të ndara në dy terminale.
Terminali i Linjave Ndërkombëtare i vendosur pranë Pallatit të Sportit ”Asllan Rusi”, si edhe Terminali Provizor i Linjave të Veriut dhe Jugut pranë mbikalimit që lidh rrugën interurbane kryesore Tiranë – Durrës me rrugën Tiranë – Kamëz. Sipas bashkisë, në të dyja terminalet, mjetet në hyrje-dalje për transportin ndërqytetës kanë një lëvizshmëri me volum përafërsisht prej rreth 600 mjete/ditë.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.