Terrorizmi- Klosi: ”Shqipëria nuk rrezikohet nga ky fenomen, por nga kriza politike!”
Në argument, mbrëmjen e së hënës, ishte i ftuar Fatos Klosi- ish kreu i shërbimit informativ kombëtar, për të folur rreth fenomenit të terrorizmit, i cili duket sikur rikthehet herë pas here duke marrë shumë jetë njerëzish. Gazetari Enio Civici, nisur nga rasti i terrorizmit në Zelandën e Re, ia kushtoi këtë puntatë këtij fenomeni, për të diskutuar më gjerë rreth shkaqeve që e rikthejnë atë, por dhe për të gjetur disa mënyra sesi mund ta parandalojmë në kohë. Ish kreu i shërbimit sekret, z.Klosi shpjegoi se terrorizmi vepron në qytete të mëdha. Rasti i Zelandës së Re është një rast i vecuar, pra nuk është një rast nga ata të cilët e quajnë veten të shtypur dhe nuk e konsiderojnë veten pjesë të shoqërisë në të cilën jetojnë dhe duan të marrin hak. Dhe pikërisht, raste të tilla individuale të terrorizmit janë të vështirë për t’u parandaluar.
‘’Bota sot ka probleme të shumta ndaj nuk duhet të habitemi që këto ngjarje përsëriten. Shkaku kryesor i nxitjes së situatave të tilla, është padyshim pabarazia’’– thekson ai.
Përsa i përket mbajtjes nën kontroll të situatës, ai shprehet se është praktikisht e pamundur, pasi terrorizmi nuk njeh kufi. Zgjidhja më e mirë sipas tij,janë bashkëpunimet e shumta që shërbimet sekrete të vendeve të ndryshme, duhet të kenë mes tyre. Ndërsa për Shqipërinë, ai deklaron se vendi ynë është i parrezikuar nga terrorizmi, pasi është një vend i vogël dhe mundësia për të qenë i huaj është mjaft e vështirë.
‘’Problemi më i madh i vendit tonë të vogël, është kriza politike në të cilën gjendemi. Nuk shoh një mekanizëm për të rrëzuar qeverinë. Të gjithë prisnin datën 16 shkurt për të rrëzuar qeverinë, por asgjë nuk ndodhi dhe u shty për në datën 16 mars, protestë e cila mbaroi më shpejt se filloi. Kryetari i opozitës është shkarkuar nga përgjegjësitë duke ngarkuar popullin të rrëzojë qeverinë, por kjo gjë është praktikisht e pamundur. Duhet domosdoshmërisht të ndryshojmë kodin zgjedhor, në mënyrë që kësaj situate ti japim një zgjidhje. Këto janë problemet e vërteta të Shqipërisë dhe jo frika se mund të prekemi ndonjë ditë nga terrorizmi” – shprehet ai.
Elefteria Zguri/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.