Testimi për specializimet – Provim i informatizuar nga 20-23 shkurt për 277 aplikantë

Provimi me shkrim për kandidatët që garojnë për specializimet afatgjata, do të zhvillohen nga data 20 deri në 23 shkurt. Janë gjithsej 185 kuota, për të cilat po garojnë 277 aplikantë.
Agjencia Kombëtare e Provimeve ka nxjerrë kalendarin e datave të zhvillimit të provimit të informatizuar për 277 aplikantët për specializimet afatgjata në Mjekësi. Në dokumentin e publikuar edhe nga Fakulteti i Mjekësisë, secili kandidat mund të orientohet për datën dhe orën që do t’i nënshtrohet provimit, i cili do të përmbajë 100 pyetje me alternative.
Ky provim do të testojnë njohuritë dhe aftësitë e aplikantëve. Provimi do të zgjasë 120 minuta dhe do të zhvillohet në një raund ose dy, nga 60 minuta secili. Vlerësimi i kandidatëve do të bëhet në mënyrë automatike dhe në momentin e përfundimit të testit do të shfaqet në monitorin e kompjuterit rezultati, i cili do të printohet dhe firmoset nga Komisioni i Vlerësimit.
Në përfundim të procesit, Komisioni do të publikojë listën përfundimtare me renditjen e kandidatëve sipas pikëve totale të përllogaritura nga mesatarja e ponderuar, intervista dhe testi i informatizuar. Çdo kandidat që nuk është i bindur nga rezultati do të ketë 5 ditë kohë që të bëjë ankimimin.
Entela Barjamaj/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.