Testohen portat e hec Moglicë/ Plani i kompanisë: ”Në 3-mujorin e dytë nisin operimet tregtare”
Pavarësisht situatës së krijuar nga COVID-19, kompania norvegjeze Statkraft po vazhdon fazën e testime të HEC Moglicë, teksa në datën 12 prill realizoi edhe testimin e portave të shkarkuesit të sipërm të digës, i cili ka rezultuar me sukses. Në një prononcim për TV SCAN kompania tha se gjatë këtyre muajve janë realizuar një sërë testesh për të kolauduar dhe përgatitur për të vënë në funksion veprën më të madhe hidroenergjetike private në Shqipëri.
Ndërkohë që, qëllimi është zbatimi i planit, që parashikon nisjen e operimeve tregtare në tremujorin e dytë të 2020-ës. HEC Moglicë përbëhet nga një dige me bërthamë asfalti dhe mbushje me material vendi me një lartësi prej 167 metra. Një tunel prurje prej rreth 11 Km lidh rezervuarin me Centralin, i cili ka kapacitet të instaluar prej 184 MW. Diga ka krijuar rezervuarin e Moglicës, i cili ka një vëllim prej rreth 360 milion m3, me sipërfaqe prej rreth 7.2 Km2.
Moglica është një nga dy hidrocentralet e Kaskadës së Devollit, përveç atij të Banjës, i cili është në operim prej vitit 2016. Investimi për këto 2 hidrocentrale përllogaritet në mbi 530 mln euro, ndërsa kur të hyjë në fazën e shfrytëzimit HEC Moglicë do të prodhojë rreth 450 GwH. Vit. Të dy HEC-et së bashku prashikohet të prodhojnë rreth 700 Gëh në vit, duke mundësuar rritjen e prodhimit të energjisë në Shqipëri me 13 %.
Ola Mitre/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.