Tetori, rekord për volumin e mallrave me det – Hekurudha trefishon ngarkesat e transportuara
Gjatë muajit Tetor volumi i mallrave që janë ngarkuar dhe shkarkuar në portet e vendit ka arritur në 395 mijë ton, çka përbën një rritje me 21,7% krahasuar me një vit më parë. Ky volum i shtuar ka kontribuar edhe në rritjen vjetori të transportit të mallrave me rrugë detare, i cili për 10 muajt e parë të vitit shënon një rritje me 9,2%, ose rreth 290 mijë ton më shumë.
Transporti detar zë tashmë pjesën më të madhe të eksporteve, me 60,4%, kundrejt 39% të mallrave që largohen nga vendi përmes transportit rrugor.
Eksportet kryesore me rrugë detare janë produktet e tekstilit dhe lëkurës, si edhe produktet metalike dhe të minierave.
Importet ndërkohë preferojnë gjithashtu transportin detar për të mbërritur në vendin tonë, ndikuar kryesisht prej shkëmbimeve tregtare me Italinë. Me rrugë tokësore kanë hyrë ne vend 44% e mallrave, kryesisht produkte ushqimore dhe produkte kimike e plastike.
Sakaq, edhe pse zë vetëm 2% të transportit total të mallrave, hekurudhat shqiptare kanë shënuar një rritje më befasuese, duke u trefishuar në volumin e transportuar. Për muajin Tetor, me tren u transportuar 9951 ton mallra, nga rreth 3 mijë ton gjatë Tetorit të kaluar.
Duket se kjo fushë e transportit është drejt rimëkëmbjes, çka konfirmohet edhe nga ecuria vjetore, që ka dyfishuar volumin e transportit. Një ndikim të madh këtu e kanë pasur shkëmbimet tregtare mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, ku së fundmi është hapur edhe stacioni i përbashkët hekurudhor.
Një rritje modeste me 4,3% ka njohur edhe transporti i mallrave me rrugë ajrore, por që gjithsesi mbetet në shifra të papërfillshme. Gjatë tetorit u transportuan me ajër 195 ton mallra, ndërsa për dhjetëmujorin, volumi i ngarkesave arrin në 1857 ton mallra.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.