“TFA” hyn në fuqi – Përfiton Shqipëria, ulen kostot dhe koha e tregtisë
Marrëveshja e tregtisë së lirë, e njohur ndryshe si TFA, ose marrëveshja e lehtësimit të tregtisë, ka hyrë zyrtarisht në fuqi, njofton Organizata Botërore e tregtisë.
Një prej vendeve firmëtare dhe një prej vende që do të përfitojë nga kjo marrëveshje është edhe Shqipëria, që e ka ratifikuar këtë protokoll, më 10 maj të vitit 2016.
Hyrja në fuqi vjen pasi Ruanda, Chadi, Omani dhe Jordania e ratifikuan protokollin duke plotësuar kuorumin prej 110 vendesh për të zyrtarizuar marrëveshjen e re, ose dy të tretat e organizatës që numëron 164 vende anëtare.
Marrëveshja tregtare globale pritet të nxisë eksportet me 1 trilionë dollarë, deklaroi kreu i Organizatës Botërore të Tregtisë, Roberto Azevedo. Marrëveshja e lehtësimit të tregtisë pritet të ketë një impakt të madh në tregtinë globale, sidomos në vendet e varfëra, pasi sjell një standardizim të procedurave doganore, duke ulur ndjeshëm kohën, kostot dhe burokracitë në procesin e kalimit të mallrave mes kufijve të ndryshëm.
Implementimi i plotë i marrëveshjes së lehtësimit të tregtisë pritet të ulë kostot e tregtisë për vendet anëtare me 14.3%, me vendet në zhvillim që përfitojnë më shumë.
TFA pritet të ulë edhe kohën e importit të produkteve me të paktën një ditë e gjysëm dhe të eksportit me dy ditë, çka përkthehet në një ulje me 47 dhe 91% respektivisht.
Nga ana tjetër, marrëveshja pritet të rrisë numrin e produkteve të reja të ekspertit për vendet në zhvillim me 20%, ndërkohë që për vendet më pak të zhvilluara kjo normë ngjitet në 35%.
Marrëveshja cilësohet si historike nga vetë Organizata pasi është e para marrëveshje shumëpalëshe në 21 vite. Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Japonia janë ndër firmëtaret.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.