Thaçi pret delegacionin britanik: Të zgjerojmë më tej marrëdhëniet në fushën e ekonomisë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot në një takim një delegacion të parlamentit britanik. Gjatë takimit me këtë delegacion, të kryesuar nga deputeti britanik Martin Vickers, Thaçi ka shprehur falenderime për ta, për mbështetjen që Britania e Madhe i ka dhënë Kosovës në të gjitha periudhat, sidomos në atë të çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës.
“Britania e Madhe është një partner strategjik i Kosovës. Roli juaj në çlirimin dhe pavarësinë Kosovës ka qenë jetik dhe përcaktues. Jemi shumë mirënjohës për mbështetjen tuaj si deputetë, si qeveri dhe si popull”, theksoi Thaçi.
Po kështu në këtë takim, Presidenti ka folur edhe për marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve, ku ka pohuar se marrëdhëniet duhet të zgjerohen në ekonomi, arsim, kulturë dhe sport.
“Jemi të interesuar të kemi më shumë investime britanike në Kosovë. Pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Investime Strategjike, presim dinamikë të re në investimet britanike në Kosovë”, është shprehur Thaçi.
Udhëheqësi i delegacionit britanik, Martin Vickers, theksoi se Britania e Madhe mbetet e përkushtuar për të vazhduar mbështetjen për Kosovën.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.