Thatësira “shkund” energjinë – “Rëndohen” financat e OSHEE-së, 138.5 milion euro për plotësimin e nevojave!”
12.3 mln euro shpenzoi Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike për blerjen e energjisë, me qëllim plotësimin e nevojave konsumatore dhe humbjeve në rrjet gjatë muajit shtator. Sipas të dhënave zyrtare në total u blenë 180 mijë Mwh, me një çmim mesatar prej 68.8 euro/mwh. Çmimi me të cilin është siguruar energjia është më i lartë në raport me muajin korrik, ku mesatarisht u shpenzua 62.23 euro/Mwh, duke bërë që fatura e radhës të jetë edhe më e kripur për OSHEE-në.
Rënia e prodhimit të energjisë si pasojë e thatësirës ka detyruar Operatorin e Shpërndarjes të rrisë ndjeshëm importet, ndërkohë që sipas të dhënave zyrtare nga fillimi i vitit deri më tani janë shpenzuar në total 138.5 milion euro. Thatësira e tejzgjatur nuk po favorizon aspak situatën financiare të OSHEE-së, që ka shfaqur probleme në drejtim të likuidimit të faturave të shit-blerjes së energjisë, ndaj tregtarëve fitues.
Sipas të dhënave të INSTAT për 6-mujorin, prodhimi i energjisë elektrike u përgjysmua në krahasim me një vit më parë, çka ka sjellë ulje drastike të eksporteve dhe rritje të lartë importeve. Në gjashtë muaj, Shqipëria importoi 683 GWH energji elektrike, rreth pesë herë më shumë krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar.
Ola Mitre/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.