“The Sun” për emigrantët ilegalë shqiptarë: “Gangsterët po fluturojnë shqiptarët në Britani në “business class”, duke i faturuar me 900 paund për sedilje për “një hyrje të garantuar”.

E përditshmja britanike “The Sun” ka hedhur dritë mbi atë çfarë mendohet të jetë vetëm maja e ajsbergut e një skeme të sofistikuar për futjen e emigrantëve ilegalë shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas informacionit që jep artikulli, banda gangsterësh kërkojnë 900 paund për një sedilje në avionë të lehtë, të cilët ofrojnë hyrje të sigurt në vend.
“Hetimi ynë zbuloi dy pilotë britanikë, të cilët u arrestuan këtë muaj në përpjekje për të fluturuar 14 shqiptarë, mes tyre tre fëmijë, nga Holanda në një avion me qira me 8 sedilje. Avioni i tyre është një nga të paktën tre të tillë të ndaluar këtë vit, me qindra emigrantë të rreshtuar për të fluturuar në bordin e avionëve të mbingarkuar.
Rreth 30 pista uljeje të izoluara në Jug Lindje të Britanisë janë veçanërisht të cënueshme, pasi nuk kanë mbrojtje nga zyrtarët e kufirit.”, shkruan “The Sun”.
“Disa emigrantë janë të përgatitur të paguajnë më tepër për të patur një garanci për të hyrë në Britani. Kushton shumë para të mbash një avion të vogël”, thotë ish-shefi i Kufirit të Mbretërisë së Bashkuar.
Dy pilotë të arrestuar për përfshirjen në këtë rrjet po gjykohen në Holandë, ndërsa burime nga ky vend konfirmojnë se plani është shumë i sofistikuar dhe më i zgjeruar se këto arrestime fillestare.
“Ka një rrjet që operon në Britani për të futur njerëz ilegalisht në vend dhe bandat kriminale pas tij po fitojnë shumë para”, thonë burimet holandeze.
Prokurori francez Philippe Sabatier, i ngarkuar me çështjen e dy pilotëve të tjerë që u kapën pranë Calais, shprehet për “The Sun”:
“Kjo është hera e parë që shohim diçka të tillë. Më përpara njerëzit kanë përdorur makina, kamionë dhe trena, por kurrë aeroplanë. Kjo hap një front tërësisht të ri kur vjen puna tek trafikimi njerëzor”.
Për të lexuar artikullin e plotë, kliko këtu.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.