Thellohet kriza në Venezuelë, Maduro: Do ndryshoj Kushtetutën, do ngrij çmimet
Presidenti venezuelas, Nicolas Maduro, ka bërë një tjetër hap përpara në rrugën e autoritarizmit, duke deklaruar se do të ribëjë kushtetutën e vendit. Opozita e ka cilësuar këtë si një grusht shteti.
Për të ndryshuar ligjin suprem të vendit, presidenti ka thirrur një Asamble Kushtetuese. Kjo asamble, ka në kompetencat e saj edhe fuqinë për të thirrur zgjedhjet e përgjithshme si dhe të shpërbëjë fuqinë publike.
Kjo gjë ka ndodhur edhe në vitin 1999, me paraardhësin e Maduros, Hugo Chaves, i cili thirri Asamblenë Kushtetuese, menjëherë pasi vendi u anëtarësua në OPEC.
Opozita venezuelase ndërkohë, e akuzon Maduron, se nëpërmjet kësaj lëvizje kërkon ta zëvendësojë atë në parlament me sindikatat dhe unionet pro qeverisë. Prej kohësh vendi është i zhytur në një recesion të thellë ekonomik, si pasojë e rënies së çmimeve të naftës.
Inflacioni galopant, tre shifror, ka shkaktuar mungesa të theksuara ushqimesh dhe produkte të tjera bazë në vend. Ditën e Hënë, Maduro urdhëroi anëtarët e kabinetit qeveritar që të vlerësojnë idenë e ngrirjes së përgjithshme të çmimeve.
Por ekspertët vlerësojnë se, diçka e tillë do të gjenerojë efektin e kundërt, duke sjellë mungesë edhe më të madhe ushqimesh dhe produktesh bazë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.