Thellohet lufta tregtare – Trump synon tarifa në mbi 60 miliardë dollarë mallra kineze
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, po synon të vendosë tarifa në mbi 60 miliardë dollarë mallra kineze dhe do të shënjestrojë sektorët e teknologjisë dhe telekomunikacionit. Sipas burimeve të administratës, tarifat mund të përfshijnë një listë më të gjerë në mbi 100 produkte.
Sipas zyrtarëve të ministrisë së jashtme në Kinë, marrëdhënia tregtare me Shtetet e Bashkuara nuk mund të jetë tërësisht në ekuilibër (zero-sum game) dhe se të dy vendet duhet të përdorin metoda konstruktive për të manaxhuar këtë tension. Sipas tyre, nëse Shtetet e Bashkuara ndërmarrin veprime që cenojnë interesat e Kinës, atëherë do të ketë “kundërmasa” për të mbrojtur të drejtat ligjore të vendit.
Trump ka shënjestruar kompanitë e teknologjisë së lartë në Kinë, për të ndëshkuar vendin mbi politikat që detyrojnë kompanitë amerikane që të shpalosin sekretet teknologjike në mënyrë që të krijojnë operacione në Kinë, si dhe prej praktikave të tjera që lidhen me pronën intelektuale që Washingtoni i konsideron të padrejta. Administrata e Trump po konsideron gjithashtu vendosjen e kufizimeve në investime për kompanitë kineze prej shqetësimeve në lidhje me sigurinë kombëtare.
Kina ka një suficit tregtar me SHBA në 375 miliardë dollarë dhe po përpiqet që ta reduktojë këtë shifër. Trump u zgjodh me premtimin se do të mbrojë punëtorët amerikanë dhe veprimi i tij i parë si president ishte tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga Partneriteti i Trans-Paqësorit.
Ndërkohë që tarifat e lajmëruara gjatë javës së kaluar mbi çelikun dhe aluminin përfshijnë shumë vende, shënjestrimi në mënyrë direkte i Kinës rrezikon një kundërpërgjigje të ashpër nga Pekini.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.