Thellohet ngërçi i Kushtetueses – Apeli i Vetting-ut shkarkon Besnik Muçin: S’e njoh vendimin, jam dekretuar nga Presidenti
Ngërçi i Gjykatës Kushtetuese është thelluar edhe më tej të enjten nga Vendimi i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit për shkarkimin e anëtarit të saj Besnik Muçi. Kolegji vendosi përfundimisht zhbërjen e vendimit fillestar që e Konfirmoi atë në detyrë, me argumentin se ai nuk justifikonte me burime të ligjshme dy apartamente dhe disa hua nga të afërmit, ndërkohë që shpenzimet familjare për disa vite me radhë ishin më të larta se të ardhurat.
Pas përfundimit të seancës, Besnik Muçi tha se nuk e njeh vendimin për shkarkimin nga detyra. Kjo pasi, sipas tij, menjëherë pas dekretimit si anëtar i Gjykatës Kushtetuese nga Presidenti i Republikës, ai gëzon status të posaçëm ligjor, i cili i garanton paprekshmërinë nga organet e vetting-ut.
Vetëm pak minuta pas shkarkimit të Muçit nga detyra ka mbërritur edhe reagimi i Presidencës. “ZERO SURPRIZË nga vettingu i Partisë. Pas dështimit të rrëmbimit flagrant të Gjykatës Kushtetuese, rikthehet skenari për bllokimin e këtij institucioni nga të njëjtët aktorë që e bllokuan për tre vjet. TURP! TURP! TURP!”, shkruan në rrjetet sociale Zëdhënësi i Kreut të Shtetit, Tedi Blushi.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.