Thëniet më të bukura të Stephen Hawking – Fizikanti i famshëm u nda nga jeta
Shkencëtari me famë botërore Stephen Hawking u nda nga jeta ditën e Mërkurë në moshën 76 vjeçare. Sipas familjarëve të tij, ai vdiq i qetë në shtëpinë e tij në Cambridge në Anglinë lindore.
Hawking ishte i detyruar të ecte në karrige me rrota për shkak të avancimit të sëmundjes së skerozës laterare, një sëmundje neurologjike, dhe për dekada kishte komunikuar duke përdorur një sintetizator.
Krahas të qenurit një fizikant shumë i vlerësuar për teoritë e tij mbi misteret e hapësirës, kohës dhe vrimat e zeza, Hawking njihej edhe për thëniet e tij të bukura dhe frymëzuese.
Ja disa prej tyre:
Mbi njohurinë
“Armiku më i madh nuk është injoranca, është iluzioni i njohurisë”.
“Qëllimi im është i thjeshtë. Është të plotësoj të kuptuarit e universit, pse është ashtu si është dhe pse ekziston”
“Arritet më të mëdha të njerëzimit kanë ardhur duke folur, ndërsa dështimet më të mëdha të tij duke mos folur”.
Mbi filozofinë
“Jeta do të ishte tragjike sikur të mos ishte për të qeshur”.
“Kujtohu të shohësh lart drejt yjeve dhe jo poshtë tek këmbët e tua. Përpiqu të kuptosh atë çfarë sheh dhe pyet se çfarë e bën universin të ekzistojë. Ji kurioz. Dhe sado e vështirë që të duket jeta, ka gjithmonë një diçka që ti mund të bësh dhe t’ia dalësh. Ka rëndësi që ti të mos dorëzohesh”.
Mbi njerëzit dhe vendin tonë në botë
“Ne jemi thjesht një racë e zhvilluar majmunësh në një planet të vogël të një ylli shumë mesatar. Por ne mund të kuptojmë universin. Kjo na bën shumë të veçantë”.
“Ne jemi në rrezikun e shkatërrimit të vetes nga lakmia dhe injoranca jonë. Ne nuk mund të vazhdojmë të shohim për nga vetja në një planet të vogël dhe vazhdimisht më të ndotur e mbipopulluar”.
Mbi aftësinë e tij të kufizuar
“Edhe pse nuk mund të lëviz dhe flas përmes një kompjuteri, në mendjen time unë jam i lirë”
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.