Theth, drejt dështimit projekti prej 5 milionë euro

Rrezikon të dështojë projekti prej 5 milion eurove i parashikuar në alpet e Thethit. Kjo pohohet nga drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura, Agim Dardha, i cili thotë se pronarët e asaj zone nuk mund të përfitojnë nga fondet pasi kulturat shekullore nuk kanë dokumente pronësie, shkruan gazeta Shekulli.
Projekti i Bashkimit Europian prej miliona eurove i premtuar në Theth mund të dështojë. Dardha thotë se ngërçi qëndron tek fakti që kullat e vjetra në Theth dhe pranë lumit Shalë janë pa dokumentacion, çfarë e bën të pamundur akordimin e fondeve. Dardha pohon se “i është kërkuar qeverisë që për zonën e Dukagjinit të shikojë mundësinë e pajisjes me tapi të kullave të vjetra dhe të lejohen ndërtimet modifikuese e restauruese në to në funksion të turizmit malor”.
Projekti i Bashkimit Europian, i cili është 5 milion euro në Qarkun e Shkodrës përfshin zonën e Thethit dhe Liqenin e Shkodrës, dhe konsiston në zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit dhe financimin e bizneseve me qëllim që jo vetëm të ruhet trashëgimia kulturore por edhe të promovohet.
Ndaj i kërkohet strukturave të qeverisë të plotësojnë me dokumentacion të rregullt pronësie, pronarët shekullorë të kullave në Theth.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.