Thyen orarin e karantinës dhe kundërshtuan me dhunë punonjësit e rendit publik – Policia arreston në flagrancë 2 shtetas
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, në vijim të punës për monitorimin e zbatimit të masave, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, mbrëmjen e djeshme, në qytetin e Peshkopisë, kanë konstatuar një automjet që qarkullonte jashtë fashës së lejuar në qytet, duke xhiruar gomat. Shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin që drejtohej nga shtetasi M. M., ku ishte pasagjer dhe shtetasi D. D.
Sipas Policisë drejtuesi i mjetit, i ndihmuar nga pasagjeri, ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë me qëllim mosbërjen e testit të alkoolit dhe shmangien e masës administrative për thyerje të orarit të karantinës, por janë shoqëruar forcërisht në ambientet e Policisë Dibër.
“Pas bërjes së testit të alkoolit rezultoi se drejtuesi i mjetit drejtonte mjetin nën efektin e alkoolit, në masë 0.37 mg/l. Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Dibër arrestuan në flagrancë shtetasit M. M., 29 vjeç dhe D. D., 25 vjeç, banues në Dibër,” bën me dije Policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Dibër, për hetime të mëtejshme për veprat penale “Kundërshtimi me dhunë i punonjësit të policisë së rendit publik”, kryer në bashkëpunim dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë rendit publik”.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.