TIA s’harron borxhet e “Albatros” – Detyrimet nga 2005, Aeroporti “Nënë Tereza” fiton në arbitrazh
Borxhet e krijuara gjatë vitit 2004-2005 janë bërë shkak që Aeroporti Nënë Tereza të padisë në Qendrën e Ndërmjetësimit dhe Arbitrazhit Shqiptar kompaninë e fluturimeve Albatros.
Televizioni SCAN disponon vendimin e arbitrazhit, i cili detyron Albatros Airways t’i kthejë TIA-s në total 92 milionë lekë, afërsisht 1 milionë dollarë. 60 milionë lekë janë krijuar nga faturat e papaguara nga Albatros për vitet 2004-2005, ndërsa 32 milionë lekë prej penaliteteve e kamatvonesave prej më shumë se 10 vitesh.
Kompania “Albatros Airways” operoi për një periudhë të shkurtër, nga viti 2004, në vitin 2006. Më 1 shtator Drejtoria e Aviacionit Civil, vendosi pezullimin e fluturimeve të kompanisë nën akuzën se ajo nuk kishte paguar detyrimet aereportuale si dhe për mangësi teknike në sigurinë e fluturimit.
Kompania “Albatros Airways” rezulton aktualisht aktive në Qendrën Kombëtare të regjistrimit. Ajo ka regjistruar një kapital prej 138 milionë lekësh dhe zotërohet nga 7 ortakë.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.