Tirana i përgjigjet Moskës, BE: Na bashkohet ne për sanksionet, e përshëndesim
Shqipëria është një ndër 4 shtetet që i është bashkuar vendimit të Këshillit të Europës për të shtyrë deri më 31 janar të vitit 2018 sanksionet ndaj Rusisë. Diçka të tillë e njoftoi vetë Këshilli Europian, departamenti për punët e jashtme dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.
Në njoftim saktësohet se, përveç Shqipërisë, këtij vendimi i janë bashkuar edhe Mali i Zi, Norvegjia dhe Ukraina. Këto katër shtete sigurojnë se, politikat e tyre kombëtare do të jenë konform vendimit të Këshillit Europian.
Bashkimi Europian, thuhet në fund të njoftimit, e merr parasysh dhe e përshëndet këtë angazhim të këtyre shteteve. Më 28 qershor të këtij viti, Bashkimi Europian, vendosi të shtyjë me 6 muaj sanksionet ndaj Rusisë, që u impelementuan tre vite më parë si pasojë e ndërhyrjes së Moskës në konfliktin ukrainas.
Vetëm tre ditë më pas, presidenti rus, Vladimir Putin, shtyu deri më 31 dhjetor të vitit 2018 sanksionet ndaj Bashkimit Europian, Shteteve të bashkuara, Australisë, Zelandës së Re, Norvegjisë, Ukrainës, Lichteschteinit, Malit të Zi, Islandës dhe Shqipërisë.
Vendi ynë angazhohet kështu që të ndjekë një politikë të jashtme të njëjtë me atë të Bashkimit Europian ndaj Rusisë. Çështja e sanksioneve ndaj Moskës është kthyer në qendër të vëmendjes ditët e fundit për shkak të vendimit më të fundit të senatit amerikan dhe Presidentit Donald Trump.
Shtetet e Bashkuara vendosën që jo vetëm ti shtyjnë sanksionet por edhe që ti ashpërsojnë ato. Diçka e tillë ka nxitur reagimin e ashpër jo vetëm të Moskës, por edhe të Brukselit, që ndihet i përjashtuar dhe i injoruar.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.