Tirana mes 40 bashkive më të spikatura në botë – I bashkohet “Bloomberg Harvard City Leadership”

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është përzgjedhur si një nga 40 kryetarët e bashkive më të spikatura nga vende të ndryshme të botës për hapjen e programit “Bloomberg-Harvard City Leadership Initiative”
Forumi zhvillohet në Nju Jork, nën kujdesin e Michael Bloomberg, ish kryebashkiakut të këtij qyteti, dhe ka si synim shkëmbimin e njohurive në drejtimin e një qeverie lokale, duke rritur edhe bashkëpunimin mes bashkive pjesëmarrëse.
Ndër kryetarët e tjerë më të suksesshëm në botë përfshiheshin edhe ata të Uashingtonit, Varshavës, Vilniusit, Stokholmit, Fortalezas, etj.
Kryebashkiakët diskutuan mbi sfidat e menaxhimit të qeverisjes vendore dhe mundësitë që ekzistojnë për përdorimin e mekanizmave inovativë që rrisin dhe lehtësojnë shërbimin ndaj qytetarëve.
Në fjalën e tij, Veliaj solli në vëmendje një sërë hapash që ka ndërmarrë Bashkia e Tiranës në drejtim të nismave inovative, siç është aplikacioni “Tirana ime” apo platforma “Open Data”, ku qytetarët mund të bëjnë raportime mbi problematika të ndryshme, si dhe të marrin informacion mbi një sërë fushash dhe shërbimesh.
Kjo nismë do u krijojë mundësi krerëve të bashkive që të vijojnë shkëmbimin dhe bashkëpunimin në distancë të mbështetur edhe nga Universiteti Harvardit. Njëkohësisht, bashkitë e përfshira do të mund të përfitojnë nga grantet e zhvillimit të Bloomberg Philantropie.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.