Tirana, “miqësore” me mjedisin – Të rinjtë e kryeqytetit shpërndajnë llamba ekologjike dhe trasta
Bashkia e Tiranës ka përqafuar një qasje të re me mjedisin, duke marrë iniciativa konkrete me mbjelljen e 120 mijë pemëve, nismën për reduktimin e qeseve plastike si dhe shtimin e korsive të biçikletave. Ndërkohë duke filluar nga data 1 Korrik, hyn në fuqi vendimi i qeverisë që nuk do të lejojë më përdorimin e qeseve plastike.
Në ditën Botërore të Mjedisit, disa të rinj, të shpërndarë në pika të ndryshme të Tiranës, zgjodhën një mënyrë origjinale për të falenderuar qytetarët që kishin zgjedhur biçikletën si mjet lëvizës, duke iu dhuruar atyre, në shenjë mirënjohje, llamba LED miqësore me mjedisin e që kursejnë energji, si dhe nga një çantë beze për të zëvendësuar qeset plastike. Kësaj nisme iu bashkua edhe kryebashkiaku Erion Veliaj.
“Një nga arritjet më të mëdha ishte kur në Tiranë vendosëm pagesën për qeset plastike. Më vjen mirë që këtë vit e kemi çuar një nivel më lart: Qeveria e Edi Ramës, Ministria e Mjedisit morën vendimin për t’i ndaluar totalisht nga 1 Korriku. Vitin tjetër do jemi akoma më mirë se sivjet me ndalimin e qeseve plastike. Shumë vende, edhe më pak të zhvilluara se ne në Afrikë, kanë marrë vendime të tilla të guximshme. Kishte ardhur koha që Tirana dhe Shqipëria të jenë pararendëse kudo në Europë për t’i ndaluar përfundimisht qeset plastike”, tha Veliaj.
Ndërkohë, pas mbjelljes së mbi 120 mijë pemëve, Tirana është qyteti i parë në Ballkan që ka sjellë sistemin e biçikletave pa stacion “Smart Bike Sharing”, një mënyrë ekologjike dhe inovative për të lëvizur në qytet.
“Me futjen e 4 mijë biçikletave Mobike, të cilat do t’i mundësojnë çdo të riu me një kosto më të lirë sesa bileta e autobusit, të përdorë biçikletën, besoj se Tirana ka arsye për të qenë mirënjohëse. Sot është dita për t’i dhuruar dikujt një llambë LED, që kursen energji, ose një trastë, si një mënyrë për të thënë: kur jemi bashkë, kur vendosim gjëra të guximshme, mund të bëjmë çudira për mjedisin dhe qytetin tonë”, u shpreh kryebashkiaku.
Nga ana tjetër Bashkia e Tiranës po orienton politikat e saj drejt zëvendësimit të flotave që ofrojnë shërbime publike me mjete elektrike.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.