Tirana transparente – Nis portali “Open Data”, Veliaj: Ul kostot

Të gjithë qytetarët do të kenë akses të plotë në të dhënat e Bashkisë së Tiranës, duke marrë informacionet e nevojshme, përmes portalit online opendata.tirana.al.
Kryebashkiaku Erion Veliaj ka prezantuar portalin e transparencës, të cilin e ka cilësuar edhe si një dritare dialogu me qytetarët.
“Informacioni është mjet për planifikimin e qëllimeve të tjera. Do të shtohet bashkëpunimi qytetar. Asnjë shoqëri nuk është rrënuar nga tepria e informacionit. Transparenca është një vlerë që e vlerësojnë të gjithë“, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë deklaroi se rritja e transparancës do të ndikojë drejtpërdrejt dhe në uljen e kostove dhe rritjen e përgjegjësisë në mënyrën se si përdoren paratë e taksapaguesve.
“Jo vetëm nuk do të shtojë kostot, por transparenca do të ulë kostot sepse do të na bëjë së pari më të ndjeshëm ndaj publikut që ka gjithë këtë informacion. Dhe së dyti besoj se dhe planifikuesit tanë do t’i bëjë shumë herë më alertë në mënyrën se si i shpenzojmë paratë tona dhe të nikoqirllëkut që duhet të kemi në gjen të mënyrës se si ne konceptojmë gjithë punët publike“, u shpreh Kryetari i Bashkisë.
Portali “opendata.tirana.al” është funksional dhe përmban të dhëna të shumta për sektorë të ndryshëm, si ekonomia e kryeqytetit, infrastruktura, transporti, kultura etj. Tirana është bëhet qyteti i parë në vend që ofron një portal për transparencën.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.