Tirana vlerësohet nga ana financiare – OKB: 1 nga 10 qytetet me performancën më të mirë
Kryeqyteti shqiptar është zgjedhur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara si si një nga 1 nga 10 qytetet me performancën më të mirë financiare. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori pjesë në konferencën “Bridge for Cities 4.0”, e mbajtur në Vjenë, së bashku kryebashkiakë dhe personalitete të larta nga e gjithë bota, ku theksoi se se ky vlerësim i dhënë nga OKB-ja, është një inkurajim që për katër vitet e ardhshme Tirana të kthehet jo vetëm në polin më të rëndësishëm ekonomik të Shqipërisë, por edhe të gjithë rajonit.
“Vërtet nuk jemi qytet i pasur, por krahasuar me atë që gjetëm dhe atë ku jemi sot, së bashku kemi bërë shumë. Jam shumë krenar për qytetarët e Tiranës, që e trajtojnë qytetin si familjen e tyre. Vlerësimi që na u dha nga OKB-ja, si një nga qytetet me performancën më të mirë ekonomike krahasuar me atë që gjetëm, është një inkurajim që të gjithë bashkë, katër vitet e ardhshme, ta kthejmë Tiranën jo vetëm në polin më të rëndësishëm ekonomik të Shqipërisë, por me shumë gjasë, edhe në polin më të rëndësishëm ekonomik të gjithë rajonit të Ballkanit”.
Ndërkaq, Bashkia e Tiranës synon të jenë një operator i rëndësishëm ekonomik edhe në fushën e energjisë, një nismë që ka si qëllim të nxisë edhe shumë prej projekteve të tjera si transporti publik elektrik.
“Duam të vazhdojmë të jemi operator aktiv ekonomik edhe në fusha të tjera, siç është fusha energjetike. Bashkia ka një hidrocentral, duam të shfrytëzojmë ujëmbledhësin e Bovillës për ta kthyer jo vetëm si një vend nga ku marrim ujin, por edhe si një vend ku me panele solare, pluskuese, mund të marrim edhe energji elektrike, që pastaj të subvencionojmë transportin elektrik në Tiranë, me autobusët apo taksitë elektrike që kemi filluar t’i fusim në qytet”.
Në konferencën e mbajtur në Vjenë, u diskutua mbi promovimin e zbatimit të Axhendës 2030 për Zhvillim e Qëndrueshëm, themelimin e një platforme urbane për krijimin e një rrjeti dhe nxitjen e bashkëpunimeve të ndërsjella.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.