Tiranë-Durrës ose Tiranë-Ndroq-Plepa do të bëhet me pagesë – Qeveria miraton 100 projekte investimi në Durrës
Këshilli i Ministrave ka miratuar gjatë mbledhjes së fundit të qeverisë në Durrës një paketë investimesh për qarkun. Sipas kryeministrit Edi Rama, bëhet fjalë për 100 projekte që do të financohen tërësisht nga buxheti i shtetit, të cilat do t’u bashkangjiten 123 projekteve në proces dhe qindra projekteve të tjera që do të financohen në vijim nga donatorë të huaj.
Kryeministri listoi projektet kryesore në infrastrukturë, ndërkohë u shpreh se një vëmendje e veçantë do të shkojë edhe për shëndetësinë me rikonstruksionin e qendrave shëndetësore, si dhe në ujësjellës-kanalizime.
“Jemi në një proces studimi për rindërtimin dhe zgjerimin qoftë të rrugës Tiranë-Durrës, qoftë në hapjen e rrugës së re Kashar-Rrogozhinë dhe rindërtimin e të gjithë segmentit nga Rrogozhina në Fier, që është aksi kryesor turistik i gjithë Shqipërisë, por ka standarde jashtë çdo standardi krahasuar me Europën. Projektet përfshijnë rehabilitimin e plotë të rrugës Durrës-Shijak, që është një segment shumë problematik; sistemimin e segmentit Fushë Krujë-Morinë; ngritjen e mbikalimeve në Thumanë-Milot; jemi në një fazë të avancuar të një projekti të madh për rindërtimin e të gjithë rrugëve të brendshme dhe rikualifikimin urbanet të gjithë rrugëve të brendshme në bllokun e plazhit në Shkëmbin e Kavajës. Gjithashtu jemi drejt përfundimit të proceseve për korridorin hekurudhor që do lidhë Durrësin me Tiranën dhe Rinasin përmes një linje të re të standardeve të larta europiane”, u shpreh Rama.
I pyetur se nëse në projektin e zgjerimit të superstradës Tiranë-Durrës do të përfshihen investitorët privatë, Rama deklaroi se do të ofrohen dy rrugë alternative, nga të cilat për njërën do të aplikohet tarifë.
“Do të jetë një ndërhyrje e thellë rindërtuese dhe varianti që po studiojmë është një variant miks midis rindërtimit të aksit Tiranë-Durrës dhe rindërtimit të aksit Tiranë-Ndroq-Plepa, ku do të krijojmë dy alternativa, nga ku njëri do të jetë me pagesë. Në mes të korrikut besoj do të kemi një qartësi. Por bëhet fjalë për një paketë të madhe financiare që përfshin edhe rrugën e re Kashar-Rrogozhinë, që do të sillte një shkurtim të ndjeshëm të lidhjes mes Tiranës dhe Vlorës”, tha kryeministri.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.