Titujt e pronësisë – Gjonaj: Regjistrimi i tokave bujqësore, objektivi i qeverisë deri në mesin e 2019
“Objektivi i Qeverisë deri në mesin e vitit 2019 është regjistrimi i titujve të pronësisë që kanë të bëjnë pikërisht me tokën bujqësore si dhe trajtimi në mënyrë të integruar të titujve të pronësisë nëpërmjet agjencisë së re.”
Kështu është shprehur ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj gjatë takimit me banorët e Katundit të Ri dhe Sukthit në qarkun e Durrësit në kuadër të turit të llogaridhënies. Duke e cilësuar çështjen e pronave prioritare, ajo shtoi më tej se me reformën e ndërmarrë do të zgjidhet në mënyrë ligjore edhe problemi i titujve të pronësisë.
Reforma në Drejtësi dhe procesi i Vetting-ut të gjyqtarëve dhe prokurorëve ishin gjithashtu pjesë e informimit të qytetarëve. Sipas Gjonaj, kjo reformë ndikoi në dhënin e rekomandimit pozitiv për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian.
Ndër të tjera, ministrja deklaroi se është miratuar projekti dhe financimi për rikonstruksionin e rrjetit të ujësjellësit për fshatrat Jubë, Katund i Ri, Qerret, Erzen, Bisht Kamëz dhe Rinira.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.