Tjetër “dasëm” në farmaceutikë! Francezja “Sanofi” blen amerikanen “Principia Biopharma” për $3.7 mld
Sanofi do të blejë kompaninë farmaceutike amerikane, Principia Biopharama, për rreth 3.7 miliardë dollarë, deklaruan të dy kompanitë këtë të hënë, çka e bën këtë blerjen më të fundit të kompanisë franceze të specializuar në sektorin e kujdesit shëndetësor.
Marrëveshja do të forcojë aftësitë kërkuese të Sanofi në fushë si ajo e sëmundjeve autoimune dhe alergjive, thuhet në deklaratën e kompanisë. Aksionet e “Principia” do të blihen kështu për shifrën e “cmendur” të 100 dollarë secila.
Më 14 gusht, aksionet e kompanisë kuotoheshin në rreth 90 dollarë secila. Aksionet e Sanofi ndërkohë u rritën me 0.6% në orët e para të sesionit tregtar të së hënës. Blerja pritet që të përfundohet në tremujorin e katërt të 2020-ës.
“Shkrirja e dy kompanive do të sjellë burime globale për të mundësuar terapitë inovative te pacientët, në një kohë më të shpejtë”-deklaroi presidenti dhe drejtuesi ekzekutiv i Principia Biopharma. Në 2018-ën, kompania franceze bleu për 11.6 miliardë dollarë trajtimin me bioverativ për pacientët hemofilik, ndërsa në dhjetor të vitit të kaluar, bleu për 2.5 miliardë dollarë kompaninë e bioteknologjisë, “Synthorx”.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.