Tjetër kompani ajrore Shqipëri-Itali – “Easyjet” njofton itinerarin Tiranë-Milano, në “ndihmë” të biznesmenëve
Një tjetër kompani ajrore do të hyjë në tregun shqiptar. Kompania loë cost, “Easyjet”, prej datës 28 nëntor të këtij viti do të fillojë fluturimet Malpensa-Tiranë dy herë në javë, ditë e Enjte dhe të Dielën. Së fundmi, kompania loë cost angleze ka rinovuar edhe paketën për ata që udhëtojnë për punë, qoftë biznesmenë, qoftë profesionistë të ndryshëm.
Kështu, Easyjet i shtohet “Hellofly”, kompanisë tjetër ajrore që sapo ka njoftuar itinerarin e ri, Tiranë-Salerno, si dhe kompanisë shtetërore shqiptare, “AirAlbania”. Sa i përket “Hellofly”, bëhet fjalë për një kompani që do t`i vijë më shumë në shërbim njerëzve të biznesit, duke qenë se ka një avion mjaft të vogël.
Me hyrjen e “Easyjet” me fluturime nga Milano në Tiranë, vihet edhe më shumë në pah interesi i shtuar i italianëve për të pasur marrëdhënie biznesi dhe pune me Shqipërinë. Tashmë janë 5 kompanitë ajrore që operojnë nga Shqipëria në Itali dhe veç “Hellofly”, “Easyjet” dhe “AirAlbania”, janë edhe “Flyernest” dhe “Blue Panorama”.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.