Tjetër thirrje Ballkanit – Bullgaria: Mundësi që s`duhet ta humbasë, por “topi” në fushën e BE

Në lidhje me shansin e artë që ka Ballkani Perëndimor këto gjashtë muaj për t’u afruar me Bashkimin Europian, për shkak të presidencës së Bullgarisë, ka folur edhe ministrja e jashtme, Ekaterina Zakharieva.
“Dritarja e mundësive që po i hapet Ballkanit Perëndimor për afrimin me Bashkimin Europian nuk duhet humbur”, deklaroi ajo.
Gjithsesi, Zakharieva shtoi se, progresi në drejtim të integrimit europian të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet të vijojë bazuar në rregulla strikte.
Ndër të tjera, ajo shtoi se, Sofja zyrtare është një avokate e një Europe të sigurt që sheh drejt së ardhmes si dhe perspektivës europiane të këtyre gjashtë vendeve. Diçka e tillë do t`i garantojë stabilitet jo vetëm rajonit por të gjithë Europës, shtoi numri një i diplomacisë bullgare.
“Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë ndërmarrë vendime strategjike dhe tani është në dorë të Bashkimit Europian që t`i inkurajojë ato të bëjnë hapa të rëndësishëm drejt Bashkimit Europian si dhe t’i mbështesin në këtë proces”, shtoi Zakharieva.
Bullgaria ka marrë presidencën e radhës së Bashkimit Europian më 1 Janar dhe ka deklaruar haptazi integrimin e Ballkanit si prioritet të saj. Për këtë arsye ka organizuar në mes të majit samitin e parë në 15 vite mes Bashkimit Europian dhe rajonit.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.