Tkurren investimet – 7 mujori, 900 milionë lekë më pak se 2018-ta
Në 7 muajt e parë të vitit qeveria ka çuar për investime një fond prej 33.8 miliardë lekësh, dhe vetëm për muajin Korrik janë disbursuar 4.4 miliardë lekë.
Ritmi i punëve publike të paguara ka rënë krahasuar me 3 muajt paraardhës ku janë disbursuar mesatarisht nga 5-7 miliardë lekë. Ndërkaq po ta krahasojmë me të njëjtën periudhë të një vitit më parë, edhe pse planifikimi i bërë është më i lartë, niveli i realizmit është më i ulët në 37 për qind, nga 40 që ishte në 7-mujorin e 2018.
Vitin e kaluar, në Janar-Korrik, shkuan për investime kapitale rreth 34.7 miliardë lekë, apo rreth 900 milionë lekë më shumë. Ajo që vihet re është se pjesën më të madhe e përbën financimi i brendshëm, ndërsa ka një rënie të kontratave të paguara me rreth 2.3 miliardë lekë nga fondet që sigurohen me financim të huaj krahasuar me 7 mujorin 2018.
Në total, gjatë 2019-ës janë parashikuar që të shkojnë për investime, ku përfshihen punët publike, si ndërtimi apo rikonstruksioni i akseve rrugore, mirëmbajta, ndërhyrja në qendrat e qyteteve apo të tjera të kësaj natyre, rreth 90.6 miliardë lekë.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.