Tkurret ekonomia greke, Bie me 1.1% në T4 – Tsipras: Më e keqja ka kaluar
Kryeministri i Greqisë Aleksis Tsipras tha se ekonomia ka lënë pas vështirësitë dhe pritet të arrijë një rritje eksponenciale, pavarësisht të dhënave që treguan një tkurrje gjatë tremujorit të katër 2016.
Duke injoruar vonesat e rishikimit të programit të shpëtimit nga kreditorët, Tsipras tha se duhet një strategji kombëtare për rritjen ekonomike të vendit. Zyrtarët presin një rritje prej 2.7% në vitin aktual.
Më herët gjatë ditës, zyra e Statistikave publikoi të dhëna që tregonin se ekonomia prej 175 miliardë euro e Greqisë është tkurrur me 1.2% në tremujorin e katërt nga tremujori i kaluar dhe me 1.1% nga e njëjta periudhë një vit më parë.
Duke iu referuar në mënyrë indirekte kreditorëve që janë aktualisht në Athinë duke negociuar reformat, Tsipras tha se pavarësisht kërkesave për të ndaluar negociatat, Greqia i ka kaluar vështirësitë dhe nuk ka më kthim mbrapa.
Procesi i rishikimit është zgjatur për disa muaj kryesisht prej “përplasjeve” mes Bashkimit Europian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar mbi progresin fiskal të vendit dhe këmbënguljen për të adaptuar masa të tjera shtrënguese.
Greqia kërkon të përfundojë rishikimin sa më shpejtë, pasi në muajin Korrik përballet me ripagesa të mëdha të borxhit.
Vendi kërkon që titujt e borxhit qeveritar të përfshihen në programin e blerjes së Bankës Qendrore Europiane. Greqia synon që të arrihet një marrëveshje përpara takimit të ministrave të financave të Eurozonës më 20 Mars, megjithatë FMN është skeptike mbi arritjen e objektivave nga Athina.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.