Tkurret ekonomia greke me 0.5% në tremujorin e parë, vijon dobësimi
Ekonomia greke u tkurr gjatë tremujorit të parë të këtij viti, por me një hap më të ngadaltë se tremujori i fundit i vitit të kaluar, tregojnë të dhënat e fundit të institutit të statistikave në vend.
Këto të dhëna tregojnë se, ekonomia helene u tkurr me 0.1% gjatë tre muajve të parë të këtij viti, në krahasim me tremujorin paraardhës. Në terma vjetorë ndërkohë, tkurrja e ekonomisë fiksohet në 0.5%, ndërkohë që në tre muajt e fundit të 2016-ës kontraktohej me 1.1%.
Ekspertët shprehen se, dobësia e tremujorit të fundit të vitit të kaluar ka vijuar edhe përgjatë muajve të parë të këtij viti, por me një hap më të moderuar. Këto të dhëna vijnë vetëm një ditë pasoi qeveria helene rishikoi në territor negativ projeksionet e rritjes për 2017-ën, në vetëm 1.8%, nga 2.7% rritje që projektonte më parë.
Por edhe norma prej 1.8% duket mjaft ambicioze po të shohim të dhënat e tremujorit të parë dhe ecurinë e negociatave me kreditorët ndërkombëtarë.
Javën e kaluar ishte Komisioni Europian që shkurtoi projeksionet e rritjes për ekonominë helene, në 2.1% nga 2.7%. Të dhënat e tremujorit të parë janë në linjë me projeksionet. Shifrat janë paraprake dhe ato përfundimtare do të publikohen në fillim të qershorit.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.