Tkurrja e TVSH, 5.6 mld lekë më pak në buxhet për 11-mujorin

Mosrealizimi më i madh nga administrata fiskale për periudhën 11-mujore ka ardhur nga Tatimi i Vlerës së Shtuar, duke dhënë një ndikim negativ në treguesit fiskalë të kësaj periudhe.
Sipas statistikave paraprake të Ministrisë së Financave, të ardhurat nga TVSH-ja janë realizuar në vlerën 119.1 miliard lekë, nga 124.8 miliardë lekë që ishte planifikimi.
Edhe pse ka një mosrealizim të kësaj takse me 5.6 miliardë lekë, përsëri ajo është më e lartë se e një viti më parë, ku për 11-mujorin e vitit 2015 u arkëtuan në buxhet nga ky zë 115.5 miliardë lekë.
Një ndër faktorët që mund të ketë ndikuar në të ardhurat e paketa është dhe ulja e ritmit të luftës ndaj informalitetit ndërsa administrata tatimore “zbuti” aksionin e nisur një vit me parë për kuponin tatimor.
Kjo ka bërë që në shumë subjekte përsëri të mos lëshohet ky kupon. Faktor tjetër që mund të ketë ndikuar në këtë rezultat ka qenë rritja e rimbursimeve, që ka arritur në masën 7.9 miliardë lekë për këtë periudhë, si rezultat i masave përmirësuese për thjeshtëzimin dhe reduktimin e procedurave të rimbursimit.
TVSH e rimbursuar për këtë periudhë gjatë vitit të kaluar ishte 6.5 miliardë lekë. Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) është taksë që zbatohet ndaj mallrave dhe shërbimeve brenda territorit të Shqipërisë.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.