“Torta” e borxhit të administratës – Dy ministri përbëjnë 72% të totalit, ka edhe “shembullorë”

Gjatë vitit të kaluar, aparati qendror i shtetit ka krijuar detyrime në vlerën e 5.7 miliardë lekëve, paçka se ekzekutivi është angazhuar të mos krijojë detyrime të reja. Nga ana tjetër edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka bërë vazhdimisht thirrje qeverisë sa i përket mosshlyerjes së detyrimeve.
Nga kjo shumë, 2.9 miliardë lekë janë detyrime të reja të krijuara gjatë periudhës tetor—dhjetor të 2017-ës, ndërkohë që pjesa tjetër janë detyrime të pashlyera të periudhës janar-shtator 2017.
Parashikohet që një pjesë e detyrimeve të akumuluara përgjatë 2017-ës, ose më saktë rreth 3.5 miliardë lekë do të shlyhen nëpërmjet buxhetit të vitit aktual. Pjesa tjetër ndërkohë, rreth 2,2 miliardë lekë do t`i shtohet “malit” të borxhit.
Sa i përket ministrive ndërkohë, ajo për Europën dhe Punët e Jashtme vijon të jetë shembullore, e vetmja që s`ka krijuar borxh të ri gjatë Dhjetorit dhe përgjatë të gjithë vitit të kaluar. Tjetër ministri shembullore duket se është ajo e kulturës me vetëm 1.4 milionë lekë detyrime, të krijuara të gjitha gjatë periudhës Tetor-Dhjetor 2017.
Ministria më jo korrekte në drejtim të pagesave duket se është ajo e Infrastrukturës dhe Energjisë, me plot 3.2 miliardë lekë detyrime të akumuluara përgjatë vitit, ose 56% e totalit të borxhit të administratës qendrore.
Në vend të dytë ndjek Ministria e Brendshme, me një pjesë të konsiderueshme të tortës dhe plot 924 milionë lekë detyrime. Vendin e tretë e zë Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, e ndjekur më pas nga Drejtësia. Ministria e Financave dhe Ekonomisë, që duhet të ishte shembulli për t`u ndjekur, ka krijuar detyrime në vlerën e 111 milionë lekëve.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.