Toyota investon në SHBA – Do të shpenzojë $1.3 mld, bashkohet me FCA, Honda e Daimler

Prodhuesi japonez i makinave Toyota, deklaroi se do të shpenzojë 1.33 miliardë dollarë në fabrikën në Kentucky, duke ndjekur planet për 10 miliardë dollarë investime në SHBA në 5 vitet e ardhshme.
Investimi në këtë fabrikë, që është më e madhja e kompanisë, vjen në një kohë të pasigurive mbi politikat tregtare që do të ndjekë Presidenti Donald Trump, politika që mund të ndikojnë planet për shpenzime kapitale të firmave japoneze.
Trump e ka kritikuar Toyota më herët gjatë vitit dhe ka thënë se do të vendosë tarifa të dhimbshme nëse ndërton makinat Corolla për tregun amerikan në fabrikën që zotëron në Meksikë.
Toyota i bashkohet prodhuesve të tjerë përfshirë, Fiat-Chrysler, Honda dhe Daimler, që kanë njoftuar investime në SHBA pas fitores së Donald Trump. Edhe prodhuesit amerikanë si Ford dhe General Motors, kanë njoftuar plane për shpenzime më të mëdha brenda vendit.
Toyota raportoi se investimi i fundit prej 1.33 mld dollarë do të ndihmojë procesin e prodhimit, duke ndërtuar makina më të mira dhe reaguar më shpejtë ndaj konsumatorëve.
Fabrika në Kentucky punëson 8.200 individë dhe Toyota e ka shtuar numrin e punonjësve përpara nisjes së versionit të ri të modelit Camry.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.