Toyota investon te Uber – 500 mln dollarë për krijimin e makinave pa shofer

Toyota do të investojë plot 500 milionë dollarë te UBER në mënyrë që të dy kompanitë të punojnë së bashku për zhvillimin e makinave pa shofer, deklaroi vetë prodhuesi japonez.
Kjo është një përpjekje për të kapur disi rivalët, që janë shumë më para në garën me teknologjinë. Teknologjia në sektorin e automjeteve është kthyer në gurin kryesor të betejës mes kompanive dhe tashmë prodhuesit më të mëdhenj janë fokusuar maksimalisht te zhvillimi i makinave pa shofer ose atyre elektrike.
Madje, disa kompani, si Volvo, janë angazhuar që të zhvendosen tërësisht drejt makinave elektrike.
Marrëveshja mes një prej prodhuesve më të mëdhenj të makinave në botë, Toyota-s, dhe Uber, është një thellim i një bashkëpunimi të vjetër mes tyre. Marrëveshja ndërkohë pritet t`i vijë në ndihmë edhe Uber, pasi pak kohë më parë një makinë e saj pa shofer vrau një këmbësor në Arizona.
Kjo e detyroi kompaninë që të pezullojë përkohësisht testimet e këtyre automjeteve. Investimi i Toyotas prej 500 milionë dollarësh, do të thotë se japonezët e vlerësojnë Uber në 72 miliardë dollarë.
Investimi në teknologjinë e makinave pa shofer i ka shkaktuar Uber plot 891 milionë dollarë humbje vetëm në tremujorin e dytë të vitit. Uber ka një marrëveshje edhe me Volvo si dhe Daimler.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.