Toyota sjell serinë e katërt të Yaris – Zvogëlohet edhe më shumë
Kompania Toyota hodhi në treg të parin model të Yaris plot 20 vjet më parë duke regjistruar një shitje masive prej 4 milionë automjetesh në të gjithë Europën, ndër të cilat 500 mijë ishin të llojit hibrid. Tashmë kompania japoneze po shënon një kthesë në lidhje me të kaluarën, duke filluar nga një dizajn që ndjek kursin e ri stilistik të markës deri në platformën e re Toyota New Global Architecture (TnGa-B). Në pritje të daljes zyrtare në treg në qershor 2020, Yaris i ri u krijua nga projektuesit me qëllim krijimin e një makine të aftë për të kombinuar dinamizëm më të madh me një hapësirë të brendshme që është në krye të kategorisë së saj.
Kjo u bë e mundur falë përdorimit të arkitekturës së re, që do të përdoret në të ardhmen në modelet kompakte të markës, e cila lejon një pozicionim më të mirë të sediljeve të brendshme. Sa i përket dimensioneve, Yaris është shkurtuar me 5 milimetra (duke rënë nën 3.95 m) në krahasim me gjeneratën e mëparshme ndërsa baza e rrotave dhe karroceria u rritën me 50 mm.
Platforma, e quajtur Ga-B, lejoi që lartësia të zvogëlohej me 40 mm, duke e mbajtur fikse hapësirën për kokat e njerëzve falë pozicionit më të ulur të vendeve. Kofano është gjithashtu më i ulët, gjë që kontribuon në përmirësimin e dukshmërisë së përparme. Lista e karakteristikave përfshin praninë e Ekranit Qendror me Prekje Toyota, ekranin multi-informativ në panelin e instrumenteve dhe 10-inç me ngjyra Head Up Display. Sistemi ‘infotainment’ është më në fund i pajtueshëm me Apple CarPlay dhe Android Auto.
Përveç teknologjive të asistencës ndaj shoferit, Yaris i ri është azhurnuar për të përmbushur standardet e sigurisë së vitit 2020. Pasi pikërisht ky model do të bëhet makina e parë kompakte që prezanton një airbag qendror, të krijuar për të mbrojtur më mirë personat brenda makinës në rast të një impakti anësor. Nën kofano gjendet motori i benzinës Dynamic Force 1.5L me 3 cilindra dhe cikli Atkinson me kohën e ndryshueshme të valvulave, përveç 1.0 benzinë me të njëjtën arkitekturë.
Tani Yaris Hybrid mund të funksionojë me zero emetime edhe në 130 km/orë. Gjenerata e katërt e Yaris do të vazhdojë të prodhohet në Europë, pas një investimi prej mbi 300 milion eurosh për Toyota Motor Manufacturing në Francë, e cila do t’i lejojë fabrikës të ndërtojë makina bazuar në platformën Ga-B. (ilsole24ore)
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.