Trajnim “Refresh” për emergjencat ajrore, Albcontrol shpall tenderin me fond 66.6 milionë lekë
71 Kontrollorë të Trafikut Ajror do të jenë pjesë e një trajnimi Refresh të emergjencave ATCO. Albcontrol ka shpallur tenderin në Agjencinë e Prokurimit Publik, me një fond limit të vënë në dispozicion prej 66.6 milionë lekësh.
“Pjesëmarrësit janë Kontrollorë të Trafikut Ajror me rangje në Kontrollin e Hapësirës Ajrore të Survejimit me Radar (ACS); me rangje në Kontrollin e Afrimit me Radar (APS) dhe me rangje në Kontrollin e Trafikut ajror Kullë me instrument (ADI/TWR)” specifikohet në dokumentacionin e tenderit.
Sipas specifikimeve teknike, trajnimi do të zhvillohet në periudhën mars-qershor 2020 dhe do të përfshijë stimulimin e praktikave dhe procedurave standarte, emergjencave dhe ngjarjeve të pazakonta apo faktorin njerëzor.
“Në përfundim të kursit pjesëmarrësit duhet të demonstrojnë aftësinë për përdorimin e Hapësirës së Lirë Ajrore, përgatitjen e duhur për situata të ndryshme emergjence, përgatitjen e duhur për të ndërmarrë veprime të sakta në raste emergjence apo në rastet e gabimeve të kontrollorit/pilotit që mund të shkaktojnë thyerjen e ndarjes minimale, demonstrojnë përgatitjen e duhur për koordinimin me agjencitë e tjera që mund të preken nga situata e emergjencës, të jenë të aftë të menaxhojnë stresin, të menaxhojnë veprimet ushtarake me trafikun civil në Zona Përkohësisht të Kufizuara” shtohet më tej në detajet e tenderit.
Jenida Vladi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.