Trajnimi i mësuesve – Nikolla: Fillojmë me 2200 mësues në 100 ditët e para të qeverisjes

Në 100 ditët e para të këtij mandati, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë do të trajnojë 2200 mësues në rang vendi, të cilët kanë rezultuar më dobët gjatë provimeve. Këtë gjë e ka bërë të ditur Ministrja Lindita Nikolla gjatë aktivitetit të shpalljes së mësuesit të vitit në shkollën “Kushtrimi i Lirisë” në kryeqytet. Nikolla shtoi se trajnimet do të vijonë më pas me 20 mijë mësues në të gjithë Shqipërinë.
“Një kualifikim që nuk shkon për të shitur e për të blerë kreditë që ca agjenci të pasurohen, por një trajnim që orientohet pikërisht nga nevojat e çdo mësuesi. Që në 100 ditëshin e parë ne do të mundësojmë nxjerrjen nga niveli i dobët i rreth 2200 mësuesve”, tha ministrja.
Nikolla shtoi më tej rëndësinë për mbështetjen financiare të mësuesit.
“Edhe në mandatin që shkoi ne kishim një rritje të pagës së mësuesve, do të jetë patjetër një premtim i mbajtur edhe në këtë mandat”, u shpreh Nikolla.
Më herët Nikolla i dorëzoi çmimin “Mësuesja e Vitit” në rang kombëtar, Dhurata Myrtollarit nga shkolla “Kushtrimi i Lirisë” në Tiranë e cila u përzgjodh nga votat e kolegëve në shkolla të ndryshme.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.