Transaksionet e kryera gabim në pajisjen fiskale, Tatimet njoftojnë bizneset: Kërkohet deklarim i menjëhershëm, procedura që ndiqet
Tatimet përmes një njoftimi informojnë bizneset se si mund të korrigjojnë gabimet sa i takon transaksioneve të bëra në pajisjen fiskale. DPT bën me dije se çdo transaksion i kryer gabim nga tatimpaguesi në pajisjen fiskale duhet të vetëdeklarohet, duke depozituar një kërkesë për korrigjim pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore.
“Në rastet kur si rezultat i një gabimi të pavullnetshëm, nga ana e tatimpaguesit, është regjistruar një veprim shitjeje i pa realizuar (gabim) nga ana e tatimpaguesit veprohet si më poshtë:
Tatimpaguesi njofton Drejtorinë Tatimore Rajonale ku është i regjistruar, me një procesverbal (i cili klikohet e shkarkohet nga faqja www.tatime.gov.al, në rubrikën Pajisjet Fiskale/Formularë për pajisjet fiskale);
DPT do të bëjë reflektimin e këtij gabimi në të dhënat e regjistruara në serverin e raportimeve të shitjeve duke e korrigjuar atë (nëpërmjet pasqyrimit në një kolonë të veçantë). Kujdes! Subjekti pavarësisht kërkesës për korrigjim do të vazhdojë normalisht raportimin e shitjeve. Shifra e raportuar do të tregojë xhiron reale pas zbritjes së gabimit (korrigjimit/rregullimit) nga ana e DPT-së”, thuhet në njoftim.
Nëse tatimpaguesi nuk bën kërkesë në drejtorinë rajonale për të korrigjuar gabimet në shtypjen e kuponit tatimor, atëherë sipas DPT aplikohet dënimi administrativ për mosreflektimin real të situatës financiare dhe lëshim të gabuar të kuponit tatimor.
“Në bashkëpunim me Drejtoritë Rajonale Tatimore verifikohet numri i tatimpaguesve të cilët kanë reklamuar gabimin e kryer në shtypjen e pajisjeve fiskale ndaj ftojmë tatimpaguesit të respektojnë detyrimin e tyre si më sipër”, thuhet në njoftimin e Tatimeve.
os.de/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.