Transfertat në euro – Shoqata e Bankave, projekt për uljen e kostove
Një nga problemet e lidhura me euroizimin e ekonomisë është kostoja shumë e lartë e transfertave bankare në euro. Të transferosh valutë nga një bankë në tjetrën brenda Shqipërisë është një transaksion me kosto shumë më të lartë dhe kohë më të gjatë ekzekutimi krahasuar me transfertat në lekë.
Kjo ndodh kryesisht sepse Shqipëria nuk ka një sistem të brendshëm pagesash në monedhën europiane dhe transfertat në euro kryhen përmes bankave korrespondente jashtë Shqipërisë.
Revista “Scan Magazine” shkruan se, për të zgjidhur këtë problem, Shoqata Shqiptare e Bankave i ka propozuar Bankës Qendrore ngritjen e një sistemi të brendshëm pagesash në euro, që do të menaxhohet pikërisht nga Banka e Shqipërisë.
Siç dihet, bankat janë të detyruara të mbajnë një rezervë të detyrueshme në Bankën e Shqipërisë, në masën 10% të depozitave që zotërojnë në secilën valutë. Projekti parashikon që bankat të përdorin pikërisht llogarinë në euro me Bankën e Shqipërisë si “urë” për kryerjen e transfertave të brendshme në euro.
Në llogarinë e rezervës së detyrueshme bankat do të vendosin një tepricë, e cila do të përdoret për kryerjen e transfertave nga njëra bankë te tjetra. Kështu, nëse një klient kryen një transfertë nga banka A në bankën B, të dyja brenda Shqipërisë, atëherë kalimi i fondeve do të bëhet ndërmjet llogarive që secila bankë mban në Bankën Qendrore. Më pas, banka pritëse do të transferojë këto para nga llogaria e saj e rezervës e detyrueshme te llogaria e përfituesit.
Kjo skemë do të evitonte përfshirjen e bankave të huaja korrespondente dhe do të ulte në mënyrë drastike koston e transfertës. Sipas propozimit, Banka e Shqipërisë do të menaxhojë vetëm sistemin e pagesave, por jo paranë fizike në valutë.
Fizikisht, fondet në euro do të lëvizin si aktualisht, me shpresën se transfertat më të lira do të sjellin një ulje të ndjeshme të volumit të parasë fizike që duhet zhvendosur jashtë vendit.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.