Transformohet Kopshti Zoologjik – Hapet tenderi për studim-projektimin. Çfarë parashikon projekti
Kopshti Zoologjik i kryeqytetit do të marrë së shpejti një pamje të re me ristrukturimin e hapësirave përbërëse. Bashkia e Tiranës hapur edhe procedurat e tenderimit për studim projektimin i cili parashikon ri konceptimin total të hapësirave të të vetmit park zoologjik publik në Shqipëri, pjesë e njësisë Administrative Farkë.
Fondi limit i vënë në dispozicion për këtë investim kap vlerën e mbi 22.4 milionë lekëve, ndërsa kohëzgjatja e kontratës parashikon një periudhë kohore 6 muaj kalendarikë nga firmosja e saj.
Me rritjen e popullaritetit në këtë kopësht, sipas bashkisë është rritur edhe nevoja për një infrastrukturë të përshtatshme parkimi. Kështu, referuar dokumentave përkatëse të depozituara pranë Agjencisë së Prokurimit Publik, projektuesi duhet të ofrojë një zgjidhje eficiente për parkimin, ku bashkia sugjeron që ai të jetë nëntokësor dhe i pozicionuar në pjesën ballore të kopshtit.
Ndërkohë, sa i takon sheshit të hyrjes, ai duhet të funksionojnë si një ‘kampus i lirë’ dhe pikë grumbullimi për ambientet e shërbimit, duke marrë parasysh edhe mundësinë e krijimit të vendeve të pushimit për të plotësuar nevojat e të gjithë vizitorëve.
Studim-projektimi përfshin gjithashtu edhe ndërtimin e tualeteve, vendosja e të cilëve duhet të jetë në pikat kyçe në të gjithë hapësirën e parkut. Ndërkohë, një rëndësi e veçantë duhet t’i kushtohet gjithashtu edhe hapësirave për fëmijëve, pasi me rritjen e interesit të tyre për të vizituar kopshtin zoologjik, është parë si domosdoshmëri edhe krijimi i një këndi lojërash.
Projekti duhet të përfshijë po ashtu edhe ndërtimin e një godine të re për stafin për të përmbushur nevojat e këtij kopshti, si dhe një hapësirë e veçantë izolimi, e cila duhet të jetë e disponueshme për ekzaminimin e kafshëve të sapoardhura.
Ndërsa, sa i takon zonës së kafshëve, habitatet kryesore të kopshtit duhet të jenë të kufizuara nga njëra-tjetra, të ndara sipas rajoneve të ngjashme gjeografike. Vëmendje të veçantë projektuesit duhet t’i kushtojnë edhe rrethimit dhe barrierave të nevojshme për sigurinë e vizitorëve dhe stafit menaxhues.
Elementë të tjerë të rëndësishme që duhet të përfshijë projekti janë edhe temperatura, ventilimi, ndriçimi i duhur si dhe elementë të tjerë shtesë sigurie për kafshët si dhe pajisjen me mjetet e nevojshme për transportimin e kafshëve. Një rëndësi e veçantë duhet t’i kushtohet edhe sistemimit të jashtëm, ku parashikohet krijimi i sipërfaqeve të gjelbra me pemë, ndriçimi i jashtëm i objektit si dhe vendosja e stolave e koshave.
Genta Dobra/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.