Transformohet Pazari i Ri, një qendër ekonomike-tregtare dhe turistike
Nga një zonë ku mbizotëronte ndotja, kushtet higjeno-sanitare ishin skandaloze dhe siguria ushqimore zero, Pazari i Ri në zemër të Tiranës, ka marrë një formë tërësisht ndryshe, duke u shndërruar në një qendër të mirëfilltë ekonomike-tregtare, por edhe në turistike.
Në këtë hapësirë, e cila do të inaugurohet më 14 Mars, janë të vendosur rreth 308 biznese, ku punësohen 1 mijë individë, që tregtojnë produkte bujqësore, bulmeti, mish, peshk, etj.
Investimi i bërë nga Bashkia e Tiranës në këtë zonë, nga vetë bizneset, përkthehet në më shumë qarkullim dhe më shumë fitime, për shkak të kushteve më të mira që ofrohen.
Projekti i Pazarit të Ri, është konceptuar me dy markata kryesore, atë të fruta-perimeve dhe mish-peshkut, të ndara nga njëra tjetra dhe dyqanet për’rreth që tregtojnë produkte të ndryshme.
Ndërkohë, janë lyer të gjitha fasadat e ndërtesave me motive dhe ngjyra të larmishme, duke ruajtur karakteristikat e Tiranës së vjetër, por të ndërthurura me modernen, çka e bën atë një zonë tërheqëse për turistët.
Tashmë Bashkia po i jep dorën e fundit punimeve, për të qenë tërësisht gati në Ditën e Verës.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.