Transmetimet digjitale – Ligji parashikon 5 mln euro për kompensimin e investimeve

Autoriteti i Mediave Audiovizive pas miratimit nga Kuvendi të ligjit “Për lirimin e frekuencave të dixhital-dividentit”, organizoi një takim me operatoret lokalë, rajonalë dhe kombëtarë që ofrojnë transmetime audiovizive në tregun shqiptar.
E pranishme në këtë takim ishte edhe Ministrja e Inovacionit, Milena Harito, e cila u shpreh se shteti do të japë mbështetje financiare për vitin e parë për kalimin nga sistemi analog në sistemin numerik.
“Kemi kaluar një ligj të posaçëm për ta mbështetur financiarisht të gjithë këtë proces. Pra, të gjithë operatorët që përballen me këtë tranzicion, nga analog në numerik, do të mbështeten në një mënyrë ose një tjetër, siç e parashikon ligji për këtë tranzicion, për njëfarë kohe sigurisht. Pastaj do të duhet që në biznes-modelet tuaja, të keni një zhvillim të qëndrueshëm, sepse kjo është mënyra, nuk ka mënyrë tjetër“, tha Harito.
Ligji parashikon mbulimin e pjesshëm të kostove neto shtesë që shoqërojnë kalimin nga transmetimet analoge në transmetime numerike përkatësisht të operatorëve ekzistues analogë lokalë, rajonalë, operatorëve me eksperiencë në transmetimet numerike si dhe operatorëve privatë historikë kombëtarë.
Buxheti i vënë në dispozicion është 5 milionë euro, ndërkohë që shpërndarja do të bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave pas propozimeve që do të marrë nga AMA.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.