“Transparenca bankare e financiare” – Njoftime individuale për klientët

Banka e Shqipërisë ka përgatitur disa ndryshime në rregulloren “Mbi transparencën për produktet dhe shërbimet bankare e financiare”. Projektrregullorja e ndryshuar synon të përmirësojë dhe qartësojë kërkesat e transparencës ndaj klientëve.
Ajo parashikon që, në rastet kur bankat ndryshojnë kushtet e ofrimit të produkteve dhe shërbimeve bankare, ato nuk duhet të mjaftohen vetëm me afishim të këtyre ndryshimeve dhe me njoftim publik, siç ndodh zakonisht sot.
Ky detyrim do të qëndrojë, por, gjithashtu banka duhet të njoftojë në mënyrë individuale, secilin klient që është subjekt i këtyre ndryshimeve, sipas formës së përcaktuar në kontratën ndërmjet palëve, formë që mund të jetë me shkrim, nëpërmjet mjeteve të tjera të komunikimit.
Njoftimi duhet të përmbajë informacion të shprehur në një gjuhë të kuptueshme për klientin dhe duhet të kryhet 30 ditë përpara se ndryshimet të hyjnë në fuqi.
Gjithashtu, në rastet kur bankat aplikojnë interesa që ndryshojnë në mënyrë periodike, ato duhet të njoftojnë klientët në mënyrë direkte, të paktën njëherë në vit, lidhur me ndryshimin e normave të interesit.
Ky rregull vlen kryesisht për kontratat e kredive afatgjata, ku interesi ndërtohet mbi ecurinë e instrumenteve financiarë referues, si libori, euribori apo interesi i bonove të thesarit.
Rregullorja e re do të detyrojë bankat që të përfshijnë në procedurat e brendshme të punës rregullat për transparencën ndaj klientit, ashtu si edhe trajtimin e ankesave, duke përcaktuar edhe strukturat përgjegjëse për ndjekjen e tyre.
Në rastin e një ankese nga klienti, banka duhet t’i japë përgjigje me shkrim, brenda afatit kohor të përcaktuar në aktet e brendshme rregullative. Banka duhet të evidentojë në një regjistër të veçantë të dhëna për çdo ankesë të klientëve dhe informacionin mbi zgjidhjen e këtyre ankesave.
Struktura përgjegjëse për trajtimin e ankesave të klientëve duhet të raportojë në mënyrë periodike te organet drejtuese të bankës, mbi numrin, llojet dhe zgjidhjet e ankesave të paraqitura nga klientët e bankës.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.